Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRrE) i ka miratuar të gjitha kërkesat e tre operatorëve energjetikë për të hyrat e lejuara maksimale, në mbledhjen e mbajtur të premten.
Megjithatë, gjatë mbledhjes që ishte e hapur për media, nuk u tregua se sa do të jetë përqindja e rritjes potenciale të rrymës.
Gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, ka raportuar mbi zhvillimet e kësaj mbledhjeje.
Ajo tha se në mbledhje, Bordi i ZRrE-së miratoi të gjitha pikat e rendit të ditës.
“Në mesin e tyre ishte edhe ajo për rritjen e të hyrave maksimale të lejuara për të gjithë operatorët e energjisë elektrike në Kosovë, si dhe kërkesa e fundit që erdhi prej tyre për të rritur tarifat e rrymës”.
“Ky vendim u mor sot në këtë mbledhje, por në fakt nuk u tregua se sa do të jetë rritja në faturat e qytetarëve”, tha gazetarja Tërshani.
ZRrE pas diskutimit miratoi që të hyrat nga KOSTT dhe operatorët e tjerë energjetikë të rriten nga 399 milionë euro sa ishin paraparë vitin e kaluar, në 435 milionë.
Rritja e të hyrave për vitin në të cilin jemi, dhe atë pasues deri në vendimin e ri për operatorët energjetikë, do të jetë mbi 36 milionë euro.
Radio Evropa e Lirë raportoi se rritja e çmimit të rrymës mund të shkojë deri në 16%.
Ndërkaq, një protestë kundër vendimit për rritjen e çmimit të rrymës ka nisur tashmë në sheshin “Zahir Pajaziti”. Protestuesit e mbledhur nën monton “Asnjë cent më shumë”, do të shkojnë edhe para zyrave të ZRrE-së.
