Connect with us

Hi, what are you looking for?

Ekonomi

Shtrenjtohet rryma, qytetarët protestues paralajmërojnë padi ndaj ZRrE-së

Reklama

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), të premten mori vendimin për shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike për vitin 2025-‘26*.

Vendimi i ZRrE-së erdhi pas kërkesës së operatorëve të energjisë elektrike në vend (Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO)) për rritje të të hyrave të lejuara maksimale.

ZRrE miratoi që të hyrat nga KOSTT dhe operatorët e tjerë energjetikë të rriten nga 399 milionë euro sa ishin paraparë vitin e kaluar, në 435 milionë.

Rritja e të hyrave për vitin në të cilin jemi, dhe atë pasues deri në vendimin e ri të ZRrE-së, për operatorët energjetikë do të jetë mbi 36 milionë euro.

ZRrE-ja njoftoi edhe zyrtarisht se shtrenjtimi i çmimit të energjisë elektrike do të jetë 16%.

Megjithatë, nga fillimi i diskutimeve, paralajmërimet kanë qenë se shtrenjtimi do të jetë 15%, gjë që pati nxitur kundërshtim të madh në opinion.

Më 5 prill u organizua një protestë qytetare nga grupi “Asnjë cent më shumë”.

I njëjti grup organizoi edhe sot protestë në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Anëtarë të këtij grupi kanë thënë se do të padisin ZRrE-në në rast se nuk përfillen kërkesat e tyre që të mos ketë rritje të çmimit të rrymës.

Në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, aktivisti Ali Sefaj tha se nëse miratohet propozimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritjen e çmimit të rrymës, ata do të ndjekin rrugë gjyqësore.

“Ne jemi të vendosur për të mos pranuar ngritje asnjë cent më shumë, në fund të ditës secila palë i ka detyrat e saj, ne do të avokojmë dhe do të kundërshtojmë me rrugë si qytetarë”.

“Do t’i ndjekim rrugët gjyqësore, do të ngremë padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës”, u shpreh ai.

Kundër rritjes së çmimit ka dalë edhe presidenca e Kosovës, e cila ka thënë se një vendim i tillë është nuk është në përputhje me kornizën ligjore që obligon Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) që të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike në vend.

Ndërkaq Qeveria kërkoi që rritja e çmimit të rrymës të mos prekë qytetarët që shpenzojnë deri në 800kW në muaj.

Kundërshti ndaj këtij vendimi kanë shfaqur edhe odat ekonomike në vend, sikurse edhe organizata tjera që merren me mbrojtjen e të drejtave të bizneseve.

Kjo për faktin se, në rast të shtrenjtimit të çmimit të faturave të rrymës, do të ketë rritje edhe të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve.

Çmimi i tanishëm i rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë brenda një muaji, është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.

*ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo vit më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues. 

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të ngjashme